Përmbajtja Hyrje 6 2

Përmbajtja

Hyrje 6
2. Borxhi dhe rritja ekonomike : Rishikim literature 7
2.1 Gjetjet teorike 7
2.2. Mekanizmat e transmisi onit të rritjes së borxhit publik në rritjen ekonomike 10
2.2.1 Kanali i kursimeve 11
2.2.2 Kanali i kostos së shërbimit të borxhit 11
2.2.3 Kanali i besueshmërisë kombëtare 11
2.3 Gjetjet empirike 12
3. Ndikimi i borxhit publik në rritjen ekonomike në Shqipëri 14
4. Analiza empirike e ndikimit të borxhit publik në rritjen ekonomike në Shqipëri 19
4.1 Metodologjia Empirike 19
4.2. Rezultatet empirike të modelit 20
5. Konkluzione 21
Referenca 22

We Will Write a Custom Essay Specifically
For You For Only $13.90/page!


order now

Lista e grafikëve dhe figurave .

Figura 1. Mekanizmat e transmisionit të borxhit publik në rritjen ekonomike
Grafik 1. Ecuria e borxhit publik në vitet 2000-2016, (shprehur si % e PBB-së).
Tabela 1. Korrelacioni mes borxhit publik dhe rritjes ekonomike, 2000-2016

Listë Shkurtimesh
IHD- Investime të Huaja Direkte
INSTAT- Instituti i Statistkave
GMM- Generalized Method of Moments
OLS- Ordinary Least Squares
PBB- Produkt i Brendshëm Bruto

Hyrje

Rritja ekonomike e qëndrueshme përbën një nga çështjet themelore të politikave ekonomike për të gjitha ekonomitë e vendeve dhe sidomos për vendet në zhvillim si Shqipëria, e cila është përpara sfidave të stabilitetit makroekonomik e politik, uljes së papunësisë dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shqipëria arriti të mbante një nivel rritje ekonomike pozitive dhe një stabilitet makroekonomik gjatë dekadës së fundit, por niveli i lartë i borxhit të saj publik, me një tendencë në rritje gjatë tre viteve të fundit, është parë si mjaft shqetësues në sytë e shumë ekonomistëve vendas dhe të huaj.
Pikërisht këtu konsiston edhe qëllimi i punimit, në analizën dhe vlerësimin e ndikimit që ka pasur borxhi publik në rritjen ekonomike të Shqipërisë për periudhën kohore 2000-2016.

Për të realizuar këtë qëllim, fillimisht në pjesën e parë të këtij punimi është paraqitur një rishikim literature, e cila jep studimet teorike dhe empirike mbi mënyrën se si ndikon borxhi publik mbi rritjen ekonomike, si dhe mekanizmat e transmisionit të këtij ndikimi. Në pjesën e dytë të punimit jepet ecuria e borxhit publik në periudhën kohore 2000-2016 dhe faktorët që kanë ndikuar në shfaqjen e kësaj tendence. Më tej, në punim do të vlerësohet empirikisht, nëpërmjet modelit ekonometrik të Sinaj (2015), lidhja që ekziston mes borxhit publik dhe rritjes ekonomike në Shqipëri, për periudhën e marrë në shqyrtim. Së fundmi, në këtë punim janë paraqitur konkluzionet e arritura , e ndjekur më pas nga literatura në të cilën janë mbështetur këto rezultate.

Ky punim ka karakter përshkrues dhe analizues dhe është mbështetur mbi literaturë të huaj dhe vendase për të vlerësuar ndikimin borxhit publik në rritjen ekonomike. Metodologjia e përdorur bazohet në analizën ekonometrike të regresionit mbi seritë kohore dhe gjithashtu është aplikuar testi i shkakësisë Granger, për të zbuluar drejtimin e lidhjes mes dy variablave.
2. Borxhi dhe rritja ekonomike : Rishikim literature

Rritja ekonomike e qëndrueshme ka një rëndësi jetësore për të gjitha ekonomitë e vendeve dhe përbën një nga çështjet themelore të politikave ekonomike. Prandaj i kushtohen mjaft rëndësi politikave ekonomike që ndërmerren për arritjen e kësaj qëndrueshmërie dhe analizës së faktorëve determinant të rritjes ekonomike, ku një prej tyre është borxhi publik. Shumë autorë kanë trajtuar problemin e ndikimit të borxhit publik mbi rritjen ekonomike, prandaj pikërisht në këtë seksion është paraqitur një përmbledhje e literaturës teorike dhe empirike mbi lidhjen që ekziston mes borxhit publik dhe rritjes ekonomike në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.
2.1 Gjetjet teorike
Marrëdhënia mes rritjes ekonomike dhe borxhit publik është një çështje mjaft e diskutuar nga ekonomistët. Gjetjet teorike mbi lidhjen që ekziston mes borxhit publik dhe rritjes ekonomike, në përgjithësi e vënë theksin mbi një lidhje negative që ekziston mes tyre.
Ekonomistët klasikë e shohin borxhin publik si një barrë për shoqërinë. Ata mendonin se balancimi i buxhetit nga ana e qeverisë ishte një virtyt për vetë qeverinë dhe një defiçit buxhetor për ata shihej si një shenjë e falimentit të shtetit. Smith, si përfaqësuesi kryesor i ekonomistëve klasikë pohonte se borxhi publik e pengonte shoqërinë që ti përdorte burimet në mënyrë më produktive, si dhe vuri në dukje faktin se një borxh i madh do të çonte në falimentin e shtetit. Gjithashtu Rikardo, një tjetër përfaqësues i klasicizmit, i referohej borxhit si “… një ndër rreziqet më të tmerrshme, që ishte shpikur ndonjëherë, që mund të cënonte një komb dhe tenton të na bëjë më pak kursimtarë dhe më të verbër ndaj situatës sonë reale”. (Balassone et al.,2004 fq.27).
Teoria e ekuivalencës Rikardiane (Barro, 1989, fq.39) argumenton se niveli i borxhit publik, nuk ka ndonjë impakt në rritjen ekonomike kur qeveria tenton të stimulojë ekonominë nëpërmjet rritjes së shpenzimeve qeveritare nëpërmjet borxhit. Kjo sepse individët kursejnë paratë e tyre të tepërta, duke rritur kursimet private, në mënyrë që të paguajë rritjen e taksave në të ardhshen që do të përdoren për të paguar borxhin. Kështu, ideja themelore e kësaj teorie, është se pavarësisht faktit se sa qeveria zgjedh për të rritur shpenzimet, mënyra e financimit të borxhit, bën që kërkesa agregatë të mos ndryshojë. Rrjedhimisht, borxhi nuk ka efekt në periudhën afatshkurtër mbi rritjen ekonomike.
Nga ana tjetër ekonomistët neoklasikë e konsideronin borxhin si të dëmshëm për investimet dhe rritjen ekonomike. Ata pohuan se niveli i borxhit publik është i rëndësishëm për shkak të ekzistencës së taksave shtrembëruese dhe faktit se agjentët ekonomikë nuk mund të mos e parashikojnë siç duhet efektet e ndryshimit të taksave në të ardhmen. Në raste të tilla, një rritje e borxhit sot do të kishte efekt mbi sjelljen e agjentëve, gjë e cila do të ndikonte negativisht në kërkesës agregate dhe rritjen ekonomike. Ekonomistët modernë mbanin një qëndrim krejt të kundërt dhe pohonin se nëse huamarrja shtetërore nuk kryhej per per konsumin e sherbimeve dhe te mirave,por kryhej per qellime produktive, atëherë ata e vleresonin këtë veprim në çdo aspekt. Ata e shohin borxhin shtetëror sidomos per vendet ne zhvillim si një mjet i domosdoshëm financimi, të cilat varen pikërisht nga borxhi i brendshëm dhe i jashtëm për të cuar me tej procesin e zhvillimit të tyre ekonomik. (Cowan et al., 2006, fq.4-6)
Veshtrimi tjeter qe vjen nga pikepamja konvencioanale,sipas se ciles borxhi shtetëror stimulon rritjen ekonomike dhe kerkesen aggregate në periudhën afatshkurtër dhe nxit uljen e të ardhurave kombëtare në afatgjatë dhe te kapitalit.
Një rritje e borxhit publik,ne periudhen afatshkurter do të ndikojë në rritjen e kërkesës për output. Nëse ndjekimin supozimin se neqoftese qeveria krijon një defiçit buxhetor duke reduktuar te ardhurat nga taksat dhe duke mbajtur shpenzimet konstante, kjo sjell një rritje të të ardhurave të disponueshme të individëve, dhe ndoshta një rritje në mirëqenien e tyre.
Sipas analizës konvencionalet thuhet se rritja në të ardhurat dhe mirëqënien e individëve do të rrisë shpenzimet për konsumin e të mirave, pra do të rrise kërkesën agregate për të mira dhe shërbime gjë e cila sjell dhe rritjen e të ardhurave kombëtare, që do të thotë se ne afatin e shkurter ka nje marrdhenie positive mes rritjes ekonomike dhe borxhit (Elmendorf dhe Mankiw, 1999, fq.11-12).
Nje rritje e borxhit ne periudhen afatgjate,do te ndikoje ne uljen e kursimeve kombetare.Ne periudhen afatgjate,sipas teorise klasike ka cmime dhe paga fleksibel. Kjo bën që politika fiskale të ndikojë mbi të ardhurat kombëtare vetëm duke ndryshuar ofertën për faktorët e prodhimit. Për ta kuptuar më mirë se si funksionon në afatin e gjatë duhet të mbahen parasysh disa identitete. Le të shënojmë me Y të ardhurat kombëtare, C konsumin privat, S kursimin privat, dhe T diferencën e taksave me transfertat qeveritare. Sipas kufizimit buxhetor të sektorit privat kemi:
Y = C + S + T (2.1)
Gjithashtu të ardhurat kombëtare mund te paraqiten dhe si me poshte :
Y = C + I + G + NX (2.2)
Duke bere kombinimin e dy ekuacioneve te mesiperme:
S + (T-G) = I + NX (2.3)
Ku I janë investimet vendase, G janë shpenzimet qeveritare për të mira dhe shërbime, dhe NX janë eksportet neto të të mirave dhe shërbimeve. Ekuacioni (2.3)tregon se shuma e investimeve dhe eksporteve neto duhet te barazzohet me Shumen e kursimeve private dhe publike.

Nëse supozojmë se, qeveria ul te ardhurat nga taksat dhe mban konstante shpenzimet, atëherë kemi ulur kursimet publike duke krijuar keshtu nje deficit buxhetor. Një mënyrë që ekuacioni (2.3) të mbahet i balancuar pas uljes së kursimeve publike është ulja e investimeve për një periudhë kohe të caktuar, gjë që sjell ulje të stokut të kapitalit. Kjo do të thotë më pak te ardhura per vendin dhe me pak output. Ulja në stokun e kapitalit sjell për vendin një produkt marxhinal për kapitalin më të lartë, duke rritur normën e interesit dhe normën e kthimit për çdo njësi kapitali. Në të njëjtën kohë do kemi një produktivitet më të ulët të punës, që çon në uljen e te ardhurave totale nga puna dhe con ne uljen e pagës mesatare reale. (Elmendorf dhe Mankiw, 1999, fq.13-17).
Përveç kontributit të shkollave kryesore ekonomike, edhe ekonomistë të tjerë kanë studiuar marrëdhënien e borxhit publik me rritjen ekonomike.
Diamond (1965, fq.1136-1150), shton efektin e taksave mbi kapitalin aksionar dhe diferencon borxhin e jashtëm publik nga borxhi i brendshëm. Ai arrin në përfundimin se me ndikimin e taksave të nevojshme për të financuar pagesat e interesit, të dy tipet e borxhit publik reduktojnë konsumin në dispozicion të jetës së taksapaguesve, kursimet e tyre dhe kapitalin aksionar që ata zotërojnë. Përveç kësaj ai pretendon se borxhi i brendshëm mund të çojë në një reduktim të mëtejshëm në stokun aksionar.
Adam dhe Bevan (2005) gjejnë lidhje mes borxhit publik dhe pasojave të defiçitit të lartë. Ata gjejnë se një rritje në shpenzimet produktive qeveritare e financuar nga një rritje në normën e taksave, do të jetë nxisë rritjen ekonomike, vetëm nëse niveli i borxhit të brendshëm është mjaftueshëm i ulët.
Cochrane (2011, fq. 65-70), pohon se efekti negativ i borxhit publik mund të jetë shumë më i madh nëse borxhi i lartë rrit pasigurinë apo çon në pritjet e konfiskimit të ardhshëm përmes inflacionit apo ndrydhjes financiare. Në këtë rast ,edhe ne periudhe afatshkurter borxhi i lartë mund të ketë efekte.
Pra siç duket nga literatura teorike e mësipërme, ekonomistët mbajnë qëndrime të ndryshme mbi marrëdhënien që ekziston mes rritjes ekonomike dhe borxhit publik, pavarësisht se me shume dominon mendimi për një marrëdhënie negative mes tyre.
2.2. Mekanizmat e transmisionit të rritjes së borxhit publik në rritjen ekonomike
Sipas Meensel dhe Nautet (2011, fq.13-15), janë tre kanale transmisioni të cilët paraqesin ndikimin e borxhit publik në rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë. Sipas tyre tre kanalet kryesore të transmisionit janë: kanali i kursimeve neto, kanali i kostos së shërbimit të borxhit dhe kanali i besueshmërisë kombëtare dhe mënyra se si veprojnë këto tre kanale është paraqitur në skemën e mëposhtme (figura 1).
Figura 1. Mekanizmat e transmisionit të borxhit publik në rritjen ekonomike.

Burimi : Meensel dhe Nautet (2011)

Kanali i kursimeve: Së pari, një rritje e borxhit publik përgjithësisht korrespondon me një ulje të volumit të kursimeve kombëtare neto. Kjo pasi ato kursime kombëtare, të cilat para se të rritej borxhi publik do të përdoreshin për investime, pas rritjes së borxhit publik do të përdoren për të financuar koston e shërbimit të borxhit publik. Një ulje e kursimeve kombëtare neto, nxit rritjen e normave të interesit, dhe këto të fundit ndikojnë në uljen e investimeve dhe uljen e rritjes së stokut të kapitalit. Duhet të theksojmë se impakti në normat e interesit varet nga madhësia e vendit. Në rastin e një vendi të vogël të hapur, impakti në normat e interesit do të jetë shumë modest. Ndërsa në rastin e një vendi të madh e më të integruar me vendet e rajonit ku ai bën pjesë, presioni për rritjen e normave të interesit do të jetë më i dukshëm. Por, ulja e rritjes së stokut të kapitalit do te permiresonte produktivitetin e punes,por do të të ndikojë negativisht në teknologjinë e re. Efekti i gjithë këtij kanali është ulja e PBB-së, që tregon uljen e rritjes ekonomike.
Kanali i kostos së shërbimit të borxhit: Një rritje e borxhit publik do të sillte një rritje të kostos së shërbimit për këtë borxh. Kjo do të ndikonte në uljen e investimeve publike dhe rritjen e taksave të kapitalit dhe të punës, të cilat duhet të financojnë këtë rritje të borxhit publik. Rritja e taksave të kapitalit bën që të ulet stoku i kapitalit në vend dhe të frenohen investitorët vendas apo të huaj, që duan të zgjerojnë aktivitetin e tyre. Nga ana tjetër rritja e taksave të punës, do të ulë ofertën për punë, dhe mund të ndikojë në rritjen e ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Këta dy faktorë të fundit do të ndikonin negativisht në mënyrë direkte në buxhetin e shtetit, duke sjellë më pak investime në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj. Gjithashtu klima e biznesit në vend do të përkeqësohej duke e bërë vendin më pak të preferuar për Investimet e Huaja Direkte (IHD). Nga ana tjetër, një rritje e taksave të punës, do të ulë fuqinë blerëse të konsumatorëve, që do të përkthehet në më pak konsum, më pak shitje për bizneset dhe më pak taksa të mbledhura për buxhetin e shtetit. Të gjithë këta faktorë bëjnë që të ulet PBB dhe për rrjedhojë edhe rritja ekonomike në vend.
Kanali i besueshmërisë kombëtare: Një rritje e borxhit publik ndikon në nivelin e besimit ndërkombëtar të vendit. Kjo do të ndikonte në rritjen e normave të interesit për individët apo firmat. Rritja e normave të interesit do të përkthehet në më pak kërkesë për kredi nga bizneset dhe individët. Pra, biznesi nuk mund të zgjerojë aktivitetin e tij dhe individët nuk mund të zgjerojnë konsumin e tyre ndërkohor. Gjithashtu faktorë të tjerë, si institucione të dobëta, kursime private të ulëta, konkurrueshmëri e ulët, një papunësi e lartë dhe një sistem bankar i dobët, do ta ndihmonin efektin mbi normat e interesit. Të gjithë këta faktorë do të përkthehen në një kategorizim të vendit si “vend me risk”, dhe atij do t’i ofroheshin norma shumë të larta interesi për të marrë hua kapital të huaj. Por, rritja e normave të interesit gjithashtu do të thotë më pak investime publike e private, që sjell një PBB më të ulët. Pra një rritje e nivelit të borxhit publik do të sjellë një ulje të rritjes ekonomike në afatin e gjatë.
2.3 Gjetjet empirike
Duke pasur parasysh pikëpamjen teorike që tregon ndikimin e borxhit publik në rritjen ekonomike, janë bërë përpjekje për të analizuar këtë marrëdhënie dhe nëpërmjet studimeve empirike. Shumica e studimeve të bëra për analizimin e këtij efekti, kanë gjetur një ndikim negativ midis borxhit publik dhe rritjes ekonomike, por ekzistojnë edhe disa studime të tjera që nuk gjejnë rezultate të tilla.
Oks dhe Wijnbergen (1995, fq.22-24) ishin të parët të cilët investiguan influencën e borxhit në rritjen ekonomike. Ata konkluduan se në rastin e Meksikës, vendi mbi të cilin kishin bërë studimin, borxhi publik ndikonte negativisht investimet private, duke ndikuar kështu negativisht në rritjen ekonomike.
Pattillo et al. (2002, fq.19 ) analizuan 93 vende në zhvillim për periudhën 1969-1998. Autorët përdorën modelin dinamik me të dhëna panel me efekte fikse, dhe konkluduan se borxhi i jashtëm kishte një impakt negativ në rritjen ekonomike për vlera të borxhit mbi 35-40 % të PBB-së. Ata konfirmuan se mes këtyre dy treguesve ekzistonte një marrëdhënie jo-lineare, në formën e kurbës Laffer. Në një tjetër studim më të vonë, Pattillo et al. (2004, fq.15-18) testuan sërish efektet jo-lineare të borxhit në rritjen ekonomike duke marrë në konsideratë një numër më të madh vendesh në zhvillim për të njëjtën periudhë kohore (1969-1998). Metodologjia e vlerësimit të modeleve standarte të rritjes ishte ajo OLS, e variablave instrumentalë dhe ajo GMM. Ata zbuluan se impakti negativ i borxhit të lartë publik mbi rritjen ekonomike operon nëpërmjet një efekti të fortë negativ në faktorin e akumulimit të kapitalit fizik dhe atë të rritjes së produktivitetit total të faktorëve të prodhimit.
Nga ana tjetër, Schclarek (2004, fq. 10-15) zbuloi në studimin e tij se ekzistonte një impakt negativ linear i borxhit të jashtëm mbi rritjen ekonomike, pasi studioi 59 vende në zhvillim dhe 24 vende industriale, për periudhën 1970-2002. Metodologjia e përdorur ishte ajo GMM e aplikuar mbi të dhëna panel. Pasi e ndanë borxhin e jashtëm total në borxh privat dhe publik, konkluduan se vetëm borxhi publik i jashtëm kishte një efekt negativ statistikisht të rëndësishëm mbi rritjen ekonomike. Autorët shpjegojnë se efekti i borxhit të jashtëm mbi rritjen ekonomike vjen kryesisht nga efekti në akumulimin e kapitalit fizik, dhe nuk japin argumenta se përse borxhi privat i brendshëm nuk rezultoi të kishte efekt statistikisht të rëndësishëm mbi rritjen ekonomike.
Një punim me ndikim i bërë nga Reinhart dhe Rogoff (2010) analizon ndikimin e niveleve të ndryshme të borxheve publik në rritjen e PBB-së në periudhën afatgjatë duke marrë në konsideratë të dhëna prej 20 vende të zhvilluara dhe 24 vende në zhvillim për një periudhë afërsisht 200 vjeçare (1790-2009). Ata nëpërmjet një analize të thjeshtë korrelacioni kanë marrë rezultate të ngjashme me punimet e mërparshme, pra që poshtë një pragu prej 90 përqind të PBB-së borxhi ka një ndikim pozitiv por të dobët në normën e rritjes ekonomike afatgjatë ndërsa efekti i borxhit mbi kufirin prej 90 përqind është i rëndësishëm dhe negativ. Të gjitha këto studime zbulojnë vlerat kufi, të cilat sidoqoftë variojnë për vendet e OECD-së nga 77 përqind deri në 100 përqind, ndërkohë që borxhi nën këtë interval është treguar që ndikon pozitivisht ose është neutral për rritjen ekonomike. Në një studim tjetër niveli i borxhit në intervalin 60-90 përqind të PBB-së çon në një ulje të dobët të rritjes ekonomike dhe pas nivelit 90 përqind të PBB-së çojnë në një ngadalësim të rritjes ekonomike
Kumar dhe Woo (2010, fq.13-18), në studimin e tyre rreth impaktit të borxhit publik mbi rritjen ekonomike në afatin e gjatë, u bazuan në një panel prej 38 vendesh të zhvilluara dhe në zhvillim për një periudhë prej katër dekadash (1970-2010). Në funksion të qëllimit të tyre ata testuan modelin për linearitet dhe diferenca midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Ata konfirmuan një marrëdhënie jo-lineare negative mes nivelit fillestar të borxhit publik dhe rritjes ekonomike. Marrëdhënia jo-lineare negative mes borxhit dhe rritjes ekonomike ishte e dukshme vetëm për vlera mbi 90% të borxhit publik. Kjo marrëdhënie reflektohej kryesisht nga ulja e investimeve dhe ulja e rritjes së stokut të kapitalit për punëtor, dhe këto të fundit ndikonin në uljen e produktivitetit të punës. Mesatarisht, një rritje me 10 pikë përqindje në nivelin e borxhit ndaj PBB-së në vendet industriale do të ndikonte në një ulje me 0.4 pikë përqindje në investime, të matura si përqindje e PBB. Impakti për vendet në zhvillim do të ishte akoma më i madh: një rritje prej 10 pikë përqindje në borxhin publik do të shkaktonte një ulje të rritjes ekonomike prej 0.2 pikë përqindje në vit. Në vendet e zhvilluara efekti do të ishte më i vogël.

Puig dhe Rivero (2015, fq.15) në studimin e tyre morën në analizë njëmbëdhjetë shtete të Europës, për periudhën 1960-2012 dhe vlerësuan borxhi publik kishte një ndikim negativ në rritjen ekonomike në periudhë afatgjatë, por ekziston mundësia e një ndikimi pozitiv në periudhë afatshkurtër, në varësi të karakteristikave të vendeve dhe shpërndarjes finale të borxhit publik.
Pra literatura ekzistuese e përmbledhur më lart tregon se shumë prej studimeve rezultojnë në një lidhje jolineare konkave mes borxhit publik dhe rritjes ekonomike duke treguar kështu faktin se borxhi mund të ketë një efekt pozitiv apo negative mbi rritjen ekonomike të një vendi.

3. Ndikimi i borxhit publik në rritjen ekonomike në Shqipëri

Procesi i tranzicionit dhe kalimi nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu, është shoqëruar me transformimin e mekanizmave dhe infrastrukturës së funksionimit të tregjeve, si dhe me nevojën e zhvillimit dhe krijimit të instrumentave ligjorë, institucional, ekonomik dhe social, me qëllim rritjen e efiçencës në ekonomi. Sipas Bankës Botërore (2010,fq.1-8) gjatë dekadës së fundit, në Shqipëri u evidentua një transformim i ekonomisë ku fuqia punëtore u zhvendos nga sektori i bujqësisë dhe industrisë së vjetëruar me një produktivitet më të ulët drejt sektorit të ndërtimit dhe atij të shërbimeve me produktivitet më të lartë. Nga ana tjetër, integrimi i Shqipërisë me ekonomitë e vendeve fqinje ka çuar në rritjen e eksporteve, por edhe me thellimin e defiçitit tregtar të financuar nga remitancat, të ardhurat nga privatizimet si dhe nga financime të huaja koncesionare dhe IHD-të. Gjithashtu këto tranformime të bëra në ekonomi janë shoqëruar me rritjen e shpenzimeve publike duke ndikuar kështu defiçitin buxhetor dhe rrjedhimisht edhe nivelin e borxhit publik.
Ashtu si në vendet e tjera edhe në Shqipëri, borxhi publik emetohet brenda vendit dhe mbahet si rezident, pra si borxh i brendshëm, ose emetohet nga jashtë vendit dhe mbahet si jorezident, borxh i jashtëm.
Në grafikun e mëposhtëm paraqitet tendenca e borxhit publik (të huaj dhe të brendshëm), në Shqipëri për periudhën kohore 2000-2015.
Grafik 1. Ecuria e borxhit publik (shprehur si % e PBB-së) dhe rritjes ekonomike në vitet 2000-2016

Burimi: Ministria e Financave (2016b), “Treguesit e Borxhit, 2000-2016”

Sikurse duket nga grafiku i mësipërm borxhi publik në Shqipëri ka pasur një tendencë pothuajse rritëse gjatë viteve, kjo për arsye jo vetëm të shlyerjeve të borxheve të prapambetura, por edhe për shkak të investimeve të kryera në rritje nga qeveria, të zhvlerësimeve të monedhës, etj. Në vitin 2000, pavarësisht faktit se të ardhurat nga privatizimet ishin të larta, të ardhurat buxhetore ishin më të ulëta se kostot, duke bërë që kostot dhe investimet të financoheshin jo vetëm nga privatizimet por edhe nga borxhi. Në vitin 2001, privatizimet u rritën me 43% dhe financuan 30% të defiçitit buxhetor në atë vit. Në vitet në vijim, të ardhurat nga privatizimet u ulën, gjë e cila solli rritjen e borxhit publik.
Sidoqoftë, në 2007 vihet re një reduktim i borxhit publik, si pasojë e reduktimit të borxhit të brendshëm (si rezultat i rritjes së të ardhurave nga privatizimet, sikurse ishte rasti i Albtelekom-it dhe si rezultat i rritjes së PBB-nominale). (ODA, 2012)
Më pas si rezultat i krizës ekonomike në vitin 2008, stoku i borxhit publik erdhi në rritje. Gjatë periudhës 2007-2008, pati një rritje të kostove si rezultat i ndërtimit të rrugës së “Kombit”, ndërsa në 2009 pati një rritje të investimeve si rezultat i periudhës së zgjedhjeve. Rritja në shpenzimet publike u bë me qëllimin për të ulur efektet e krizës në vend. Në vitin 2010, borxhi publik shënon rënie pikërisht sepse në krahasim me vitin 2009, tendenca e shpenzimeve publike në raport me PBB-në, ra nga 28.7% në 24.4%, megjithëse kjo rënie duket sikur zvogëlohet, duke qënë se në këtë periudhë pagesat e interesit (18%) dhe kontributet sociale (27%) arritën nivel më të lartë në krahasim me vitin 2009, por duhet marr parasysh fakti i shkurtimit të personelit së sektorin publik, në mënyrë që të realizohej rritja e pagave. (Gjokutaj dhe Shijaku, 2013, fq. 11).
Niveli i borxhit publik ndaj PBB-së në vitet e fundit ka pësuar një rritje të rëndësishme duke kaluar në 65.51% në vitin 2013, 69.77% për vitin 2014 dhe 72.13% për vitin 2015. Kjo rritje ka ardhur pikërisht si rezultat i borxheve të marra në bankat e nivelit të dytë në vend, por nuk duhet të harrohen borxhet nga kompanitë e ndryshme. Diferencë të madhe në rritje vëmë re për vitin 2014, ku rritja marxhinale arrin në 5 %. Kjo vjen si rezultat i marrjeve hua për të mbështetur buxhetin e shtetit dhe projekteve të huaja, por dhe përfshirja e pagesave të borxhit prej 35 miliardë, nga investimet infrastrukturore dhe sektorin e taksave. (Banka e Shqipwrisw, 2017, fq. 20-35).
Megjithatë në vitin 2016 kemi një rënie të borxhit në 70.95%. Sipas Bankës së Shqipërisë (2017,fq.27), kjo rënie e borxhit ka ardhur si pasojë e konsolidimit fiskal solli reduktimin e deficitit dhe të borxhit publik. Ndonëse ky konsolidim nënkupton praninë e një stimuli të ulët fiskal, ai ndihmon përcjelljen e politikës monetare lehtësuese në tregjet financiare dhe kontribuon në uljen e kostove të financimit për sektorin privat.

Përsa i përket strukturës së borxhit publik mund të themi se përgjatë viteve të marra në shqyrtim, ka dominuar borxhi i brendshëm kundrejt atij të jashtëm dhe se norma e rritjes së borxhit të brendshëm ka qënë më e qëndrueshme në krahasim me atë të huaj. Borxhi i brendshëm shtetëror përbëhet 100% nga instrumente të tregtueshme, të tipit bono thesari dhe obligacione. Ndërkohë, borxhi i jashtëm shtetëror përbëhet në masën 86.6% nga instrumente të patregtueshme, si kreditë e projekteve për zhvillim, mbështetja buxhetore dhe kredia pjesërisht e garantuar nga Banka Botërore (PBG). Pjesa e mbetur prej 13.4% përbëhet nga instrumente të tregtueshme në tregjet ndërkombëtare, të tipit Eurobond. Gjatë viteve të fundit borxhi i brendshëm është karakterizuar nga rritja e vazhdueshme e peshës së obligacioneve, si pjesë e politikave menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve. Ndërkohë, borxhi i jashtëm karakterizohet nga rritja e peshës së mbështetjes buxhetore. Rritja e këtij komponenti është e lidhur me politikat e qeverisë për të likuiduar detyrimet e prapambetura. Rritja me ritme të shpejta të borxhit të jashtëm përbën një shqetësim për stabilitetin financiar në vend, sepse një kompozim i tillë i borxhit shtetëror mbart një ekspozim më të lartë ndaj ndryshimeve në tregjet botërore financiare dhe kursit të këmbimit Nga ana tjetër, përballimi i nevojave të huamarrjes së qeverisë nëpërmjet burimeve të huaja shihet si pozitive, pasi krijon hapësira më të mëdha huamarrjeje për sektorin privat në tregun e brendshëm. ( Ministria e Financave, 2016c, fq.8).
Ekonomia shqiptare ka pësuar rritje përgjatë gjithë periudhës, 2000-2016, por kjo rritje nuk ka qënë e qëndrueshme dhe e njëtrajtshme. Norma më e lartë e rritjes ka qënë në 2008 (7.5%), kjo për shkak të rritjes së potencialit të ekonomisë. Faktorët kryesorë që nxitën rritjen në këtë periudhë ishte zhvendosja e burimeve nga sektorët më pak produktivë si bujqësia, te ato sektorë më produktivë si shërbimet, adoptimi në rritje i teknologjisë, si dhe u mbështet nga nivele të larta investimi dhe konsumi privat. (Banka e Shqipërisë, 2017, fq.39-40). Më pas, rënia e shkaktuar në 2009, ishte pasojë e ndikimit të krizës globale financiare në ekonominë shqiptare dhe asaj të borxheve në vendet e BE-së. Sikurse duket nga grafiku, në këtë vit kemi një rritje të dukshme të borxhit publik sepse sikurse është përmendur në punim, pati një rritje të shpenzimeve publike për të përballuar krizën.
Në vitin 2013, ritmi i rritjes ekonomike u reduktua edhe më tej duke regjistruar nivelin më të ulët ndër vite, 0.7%. Ndryshe nga vitet e mëparshme, gjatë vitit 2013, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ishte i vetmi vend ku rritja ekonomike u ngadalësua. Vlera e ulët e rritjes ekonomike reflekton situatën ekonomike të eurozonës, veçanërisht atë të të partnerëve kryesorë të Shqipërisë, si dhe pasigurinë e rritur të agjentëve ekonomikë, e lidhur dhe më faktorë specifikë të përkohshëm gjatë 2013. (Ministria e Financave, 2014, fq.5)
Pas 2013, ka pasur një rritje të PBB-së reale, ku në 2014 ekonomia pati një rritje prej 1.89% krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu edhe viti 2016 ishte një vit përgjithësisht pozitiv për ekonominë shqiptare. Aktiviteti ekonomik vazhdoi ciklin rritës të nisur gjatë vitit të kaluar. Ekonomia përfitoi nga përmirësimi i kushteve të financimi, nga bilancet më likuide të bizneseve si pasojë e pagimit të detyrimeve të prapambetura të sektorit publik, nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte, si dhe nga përmirësimi i besimit të bizneseve të konsumatorëve. (Banka e Shqipërisë, 2016, fq.29).

Në qoftë se do e bazojmë analizën në korrelacionin që borxhi publik ka me rritjen ekonomike, do të marrim tabelën e mëposhtme:

Tabela 1. Korrelacioni midis borxhit publik dhe rritjes ekonomike
Borxhi publik/ PBB Rritja ekonomike
Borxhi publik/ PBB Pearson Correlation 1 -.673**
Sig. (2-tailed) .004
N 17 17
Rritja ekonomike Pearson Correlation -.673** 1
Sig. (2-tailed) .004
N 17 17
Burimi: Ministria e Financave (2017), Banka Botërore (2017), llogaritje të autorit

Për këtë analizë, janë marrë të dhënat nga Ministria e Financave (2017) dhe Banka Botërore (2017), për periudhën kohore 2000-2016, pra 17 vëzhgime. Nga rezultati i koefiçientit të korrelacionit, shohim një lidhje të fortë negative midis koeficientit të korrelacionit dhe rritjes ekonomike me -0.673, prandaj mund të themi se në përgjithësi, një rritje e borxhit publik, do të ulë normën e rritjes ekonomike.

Në përfundim, nisur nga analiza e mësipërme mund të themi se prirja rënëse e rritjes ekonomike përkon me periudhën kur borxhi publik është në rritje, dhe e anasjellta. Kjo analizë na shërben si indikacion për pritjen tonë, që borxhi publik ka një efekt negativ mbi rritjen ekonomike në afatin e gjatë.
4. Analiza empirike e ndikimit të borxhit publik në rritjen ekonomike në Shqipëri

Në këtë seksion do të paraqesim një model i cili vlerëson ndikimin e borxhit publik mbi rritjen ekonomike në vendin tonë.
4.1 Metodologjia Empirike
Për të analizuar lidhjen që ekziston midis borxhit publik dhe rritjes ekonomike në Shqipëri, jemi bazuar në modelin e Sinaj (2015). Të dhënat të marra në shqyrtim për variablin e vrur dhe variablat e pavarur janë seri kohore vjetore dhe shtrihen në një periudhë kohore nga 1990-2013, pra numri i vëzhgimeve është 23. Të dhënat janë siguruar nga publikimet e INSTAT, FMN-së, Bankës së Shqipërisë, Bankës Botërore, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe Open Data Albania. Metodologjia e përdorur është bazuar në analizat ekonometrike të regresionit të serive kohore. Gjithashtu është përdorur testi i shkakësisë Granger për të përcaktuar drejtimin e shkakësisë midis dy variablave. Dy seritë e përdorura janë borxhi publik ndaj PBB-së dhe rritja reale ekonomike, të matura në përqindje. Duke u bazuar në këto të dhëna, rritja ekonomike paraqitet sipas funksionit:
Rritja ekonomike= f(inf, borxhi publik)
Kështu, rritja reale ekonomike shihet e varur nga borxhi publik dhe variabli i inflacionit si një tregues i qëndrueshmërisë ekonomike. Ndaj modeli i shqyrtuar ka formën:
Growtht = ?0+ ?1Inft+ ?2Debtt + ut

Ku Growtht është rritja ekonomike matur me rritjen në përqindje të PBB-së reale; Inft është inflacioni në periudhën “t”, ku “t” merr vlerat nga 1990-2013; Debtt është niveli i borxhit real publik në periudhën t; dhe ut është termi i gabimit ku janë të përfshira të gjitha variablat e tjerë që mund të ndikojnë në rritjen ekonomike të një vendi.
Pasi janë kryer testet e nevojshme, ka rezultuar që ky model vuan nga autokorrelacioni, ndaj dhe për të korrigjuar autokorrelacionin, në model janë përfshirë dhe mbetjet më dy kohë vonesa dhe modeli merr pamjen:
Y= ?0+ ?1Inft+ ?2Debtt + residt-1 + residt-2 + ut
Kufizimet e modelit:
Të dhënat e siguruara nuk janë të besueshme, pasi burime të ndryshme informacioni, raportonin vlerësime të ndryshme për variablat e dhënë.
Numër i vogël i vëzhgimeve (23).

4.2. Rezultatet empirike të modelit
Pas testimeve të nevojshme dhe regresimit të modelit, janë marr rezultatet e mëposhtme:
Growth= 0.120+ 0.023Inft – 10.796Debtt + 0.740residt-1 – 0.241residt-2
(0.038) (0.0064) (3.366) (0.1045) (0.1037)
R2=0.505

Sipas këtij modeli, në periudhën afatshkurtër, borxhi publik ndikon negativisht në rritjen ekonomike në Shqipëri, ndërsa inflacioni ka një efekt pozitiv në rritjen ekonomike, më konkretisht, një rritje me një pikë përqindje në borxhin publik, e redukton rritjen ekonomike me 10,796 pikë përqindje. Modeli në tërësi është i rëndësishëm statistikisht, si dhe çdo variabël është i rëndësishëm statistikisht duke qënë se p-value është më e vogël se 0.05 në nivel besueshmërie 5%. Variablat e përfshirë shpjegojnë 50.5% të variacionit të rritjes ekonomike.
Për të përcaktuar lidhjen shkakwsore borxh publik – rritje ekonomike në periudhën afatgjatë, u përdor metoda Granger, i cili tregon nwse njw tregues ekonomik shkakton njw tjetwr. Si rezultat, doli se kjo marrëdhënie ndryshon në periudhën afatgjatë, pra nuk kemi një lidhje negative. Politikat qeveritare janë pikërisht ato që ndikojnë në uljen e nivelit të borxhit, por nga ana tjetër niveli i borxhit ka kaluar 60%, si rrjedhojë ekonomia ka kaluar në fazën e tkurrjes ndaj nuk kemi rritje të normës së rritjes ekonomike. Një nivel i lartë i borxhit në periudhën afatshkurtër, mund të shkaktojë një sërë krizash në vendet në zhvillim. Ndaj ky studim, sugjeron se kur ekonomia është e dobët, politika më e sigurt për të përballuar borxhin është të stimulojë rritjen dhe të vendosi nivelin e borxhit në parametrat optimalë.
5. Konkluzione

Ndikimi i borxhit publik mbi rritjen ekonomike është një temë mjaft e rëndësishme, e cil duhet të merret në konsideratë nga politikëbërësit në Shqipëri. Në këtë punim, duke iu referuar gjetjeve teorike dhe empirike kunkludojmë se borxhi publik një faktor determinant në rritjen ekonomike në periudhë afatgjtë dhe afatshkurtër. Sipas studimeve të paraqitura në punim, një rritje në borxhin publik çon në uljen e rritjes ekonomike të vendit në periudhë afatgjatë, ndërsa në periudhë afatshkurtër mund të shërbejë si një stimulues i rritjes ekonomike, sidomos nëse ky borxh financon shpënzimet publike produktive. Gjitthashtu impakti i borxhit publik mbi rritjen ekonomike është më i madh në vendet në zhvillim se sa në vendet e zhvilluara.
Si një vend në zhvillim, borxhi publik në Shqipëri ka pasur një tendencë pothuajse rritëse gjatë viteve, kjo për arsye jo vetëm të shlyerjeve të borxheve të prapambetura, por edhe për shkak të investimeve të kryera në rritje nga qeveria, të zhvlerësimeve të monedhës, ku në 2015 niveli i borxhit ishte 72.13%. Në 2016, borxhi ka ardhur në rënie si pasojë e politikës fiskale të konsoliduar.
Përsa i përket strukturës së borxhit publik mund të themi se përgjatë viteve të marra në shqyrtim, ka dominuar borxhi i brendshëm kundrejt atij të jashtëm dhe se norma e rritjes së borxhit të brendshëm ka qënë më e qëndrueshme në krahasim me atë të huaj.
Modeli ekonometrik në këtë punim ka si qëllim të analizojë lidhjen që ekziston mes borxhit publik dhe rritjes ekonomike. Nga kjo analizë rezultoi se në rastin e Shqipërisë, një rritje më një pikë përqind e normës së rritjes së buxhetit kundrejt GDP-së, e ul normës e rritjes ekonomike me 10.796 pikë %. Kjo mbështetet pikërisht më faktin se, një pjesë e madhe e borxhit publik në Shqipëri, shkon për shlyerjen e borxheve të së kaluarës por edhe si rezultat i problemeve administrative në vend. Megjithëse ky përfundim, nuk vlen po njësoj kur bëhet fjalë për periudhën afatgjatë.Për të përcaktuar marrëdhënien borxh publik – rritje ekonomike në periudhën afatgjatë, u përdor metoda Granger. Si rezultat, doli se kjo marrëdhënie ndryshon në periudhën afatgjatë, pra nuk jepet një lidhje e qartë mes këtyre dy variablave. Pra si përfundim mund të themi, që ashtu siç teoria sugjeron, rritja e borxhit publik jep një ngadalësim ose frenim të rritjes ekonomike të një vendi, sidomos në vendet në zhvillim, sikurse është dhe Shqipëria.

Referenca

Adam,C.S., D.L. Bevan (2005), “Fiscal deficits and growth in developing countries”, Journal of Public Economics, Vol. (4), fq. 571-597

Balassone, F., Franco,D., Zotteri,S., (2004), “Public Debt : A survey of policy issues “, Raport i Bankës së Italisë, fq. 27-68.

Banka Botërore (2010),”Shqipëria: Axhenda e Re e Rritjes Ekonomike-Memorandum Ekonomik i Vendit”, Washington DC: Banka Botërore.

Banka e Shqipërisë (2017),” Raport Vjetor 2016″, Tiranë.
URL: https://www.bankofalbania.org/web/Raporti_Vjetor_2016_7781_1.php aksesuar më 20.05.2017.

Barro,R.J., (1989), “The Ricardian Approach to Budget Deficits”, Journal of Economic Perspectives, Vol.3, fq. 37-54

Cochraine, J.H., (2011), “Inflation and Debt”, National Affairs, No.9, fq.56-78.

Cowan,K.,Levy-Yeati, E.,Panizza,U., Sturzenegger,F., (2006), “Sovereign debt in the Americas: New data and stylized fact”, Inter-American Development Bank, Working Paper No. 577, Washington, DC.

Diamond, P.A., (1965), ” National Debt in a Neoclassical Growth Model”, “, fq. 1136-1150.

Elmendorf, D.W., Mankiw, N.G., (1999), “Government debt”, në J.B Taylor & M.Woodford, Handbook of Macroeconomics.

Gjokutaj,A., Shijaku,G.,(2013), “Fiscal policy and economic growth: The case of Albania”, Banka e Shqipërisë, Tiranë.

Instituti i Statistikave (2016),”Llogaritë Kombëtare”
URL: http://www.instat.gov.al/media/298619/t1_1996-2014.xlsx aksesuar më 25.06. 2017

Kumar, M.S., Woo,J.(2010), “Public Debt and Growth ” International Monetary Fund, Working Paper No.10/174, Washington DC.

Meensel, L.V., Nautet,M.,(2011), “Economic impact of the public debt”, Economic Review, Vol. (2), fq. 7-19.

Ministria e Financave (2014), ” Relacioni i buxhetit faktik 2013″, Tiranë.
URL: http://www.financa.gov.al/al/thesari/buxheti-faktik-ne-vite/buxheti-faktik-2013 aksesuar më 20.06.2017.

Ministria e Financave (2016), “Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2016-2018”, Tiranë.

Ministria e Financave (2017a), “Treguesit Makroekonomik në vite 2004-2016” , Tiranë.
URL: http://www.financa.gov.al/al/raportime/programimi-ekonomiko-fiskal/treguesit-makroekonomik-ne-vite aksesuar më 26.06.2017

Ministria e Financave (2017b), “Treguesit e borxhit në vite 2000-2016”, Tiranë.
URL:http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Borxhi/Treguesit_e_borxhit/2016/Buletini_viti_2016_shqip.pdf aksesuar më 26.06.2017

Open Data Al (2012), “Privatizimet në Shqipëri 1993-2010 nëpërmjet shifrave”
URL:https://www.shqiperia.com/Privatizimet-ne-Shqiperi-1993-2010-nepermjet-shifrave.10128/ aksesuar më 18.06.2017

Oks, D., Van Wijnbergen,S., (1995), “Mexico after the debt crisis: is groëth sustainable?” Journal of Development Economics, Vol. 47(1) , fq. 155-178.

Pattillo,C.,Poirson,H., Ricci,L., (2002), “External Debt and Growth”, International Monetary Fund, Working Paper No. 02/69.

Pattillo,C.,Poirson,H., Ricci,L.,(2004), “What are the channels through which external debt affects growth”, International Monetary Fund, Working Paper No. 04/15.

Puig, M.G., Rivero,S., (2015),” Short and long-run effects of public debt on economic performance:Evidence from EMU countries”, Research Institute of Applied Economics, Working Paper No. 1/37, Barcelona.

Reinhart,C.M., Rogoff,K.S., (2010), “Growth in a time of debt”, National Bureau of Economic Research, Working Paper 15639, Cambrige.

Schclarek, A., (2004), “Debt and Economic Growth in Developing and Industrial Countries”, Working Paper No.34, Lund University.

Sinaj.V., (2015), “An Econometric Analyses of Public Debt in Albania”, International Journal of Science, Technology&Management, Vol. 4(1), fq 104-107.